Doza e tretë drejt zyrtarizimit, Italia mund ta bëjë vaksinën të detyrueshme!!

Qiproja dhe Italia u bënë vendet e fundit në Evropë që njoftuan se do të nisin aplikimin e dozave përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit.

Autoritetet italiane thanë se duke filluar nga fundi i shtatorit do të ofrojnë dozën e tretë për grupet më të cenueshme, siç janë ata me sistem të dobët imunitar. Kryeministri Mario Draghi tha gjithashtu se mund të bëjnë të detyrueshme vaksinën, i pari vend perëndimor që njofton një hap të tillë.

Po ashtu, Qipro njoftoi se do të japë dozën përforcuese për personat mbi 65 vjeç dhe banorët në shtëpitë e kujdesit afatgjatë, vaksinimi i plotë i të cilëve është bërë para më shumë se 6 muajve.

Franca u bë vendi i parë i madh i Bashkimit Europian që nisi të injektojë dozën e tretë te personat mbi 65 vjeç dhe ata me imunitet të dobët. Të njëjtin shembull ndoqi Gjermania, e cila po ashtu në krye të listës vendos grupet më të rrezikuara të popullsisë, mes shqetësimeve për rënie të imunitetit me kalimin e muajve.

Izraeli po ia ofron të gjithë popullsisë dozën e tretë, e duket se në këtë rrugë po shkon edhe SHBA. Eksperti më i lartë i sëmundjeve infektive në vend, Anthony Fauci, thotë se me gjasë regjimi me tre doza do të jetë ai i rekomanduari për t’u mbrojtur nga sëmundja: “Nga eksperienca ime si imunolog, nuk do të habitesha nëse regjimi i plotë dhe i përshtatshëm për vaksinim të ishte ai me tre doza. Ne shpresojmë dhe kemi arsye për të besuar se vaksinimi me tre doza do të ofrojë jo vetëm mbrojte më të fortë, por edhe më të gjatë në kohë”.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kritikuar vendet e pasura që po përgatiten për të siguruar doza përforcuese, ndërsa vendet e varfra luftojnë ende për të siguruar furnizimet me doza të para. Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha më 1 shtator se njerëzit e vaksinuar plotësisht nuk kanë nevojë urgjente për dozën e tretë, por se ajo duhet të merret parasysh për njerëzit me sistem të dobët imunitar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *